“Bale si zëvendësues i Ronaldos”


Ish-presidenti i Real Madridit, Ramon Calderon, beson se Los Blancos po përpiqen ta transferojnë anësorin e Tottenhamit, Gareth Bale, sepse kanë frikë se mund ta humbin Cristiano Ronaldon.
Mbretërit kanë filluar bisedimet me Spursat për një shumë prej 114 milionë eurosh për transferimin e uellsianit 24-vjeçar, ndërsa njeriu që ishte në krye të Realit për tre vite (2006-2009) mendon se Florentino Perez frikësohet se CR7 nuk do ta vazhdojë kontratën.
“E di se ai (Ronaldo) nuk është i lumtur aspak me qëndrimin dhe sjelljen e presidentit. Ai kërkon 20 milionë euro neto për çdo sezon, gjë që vështirë se do të pranohet nga Reali”.
“Mendoj se presidenti i ka të gjitha letrat mbi tavolinë, në rast se nuk e siguron rinovimin e Cristianos. Kështu mendoj unë”.
“Ai ka frikë se në një moment Cristiano do të thotë: ‘Unë nuk do të vazhdoj’. Ky do të ishte lajm i keq për Madridin”.
“Do të doja ta shoh atë duke u pensionuar te Reali, por tash situata është e vështirë. Të shohim në javët apo muajt e ardhshëm nëse do të mund të zgjidhet kjo çështje dhe ai mund të qëndrojë”, është shprehur Calderon për TalkSport. /Telegrafi/