Real Madridi ka shënuar fitore me rezultat 2-1 ndaj Evertonit në ndeshjen gjysmëfinale të Guiness Cup.
Ndeshja e zhvilluar në Kaliforni kaloi me dominim të Realit, por edhe anglezët nuk ishin aq inferiorë, megjithëse fillimi i ndeshjes ishte vendimtar.
Pas një topi të pranuar nga Benzema, Cristiano Ronaldo si një leopard i vërtetë u nis drejt portës, për të kaluar me lehtësi portierin dhe për të shënuar për 1-0 (17’).
Formën e mirë Ronaldo e vërtetoi pas gjysmë ore lojë. Luka Modric nisi një aksion drejt Ronaldos, i cili edhe pse kishte mundësinë për të shënuar, pasoi te Mesut Ozil, i cili realizoi për 2-0 (31’).
Në pjesën e dytë Evertoni tentoi të kthehej, por ishte vetëm goli i Nikica Jelavic (61’) ai që bëri që ndeshja të përfundonte me rezultat 2-1.
Në ndeshjen finale të Guiness Cup mbretërit do të takohen me fituesin e takimit Milan – Chelsea.